Koncerti me Ilahi të Yunus Emre “Kur flet gjuha dëgjon veshi, kur flet zemra dëgjon gjithësia”
Me bashkëpunim të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë, Bashkisë së Stambollit dhe Bashkisë Shkodër, u realizua koncerti me ilahi të Yunus Emre, i titulluar “Kur flet gjuha dëgjon veshi, kur flet zemra dëgjon gjithësia”.
Ekipi i muzikës artistike dhe mistike turke u takua me shkodranët në aktivitetin e organizuar ditën e Enjte, më datë 7 qershor 2018, në teatrin “Migjeni” të Shkodrës.
Në fjalën e mbajtur para programit, Kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi shprehu kënaqësinë që ndjen nga bashkëpunimi me Institutin Yunus Emre Shkodër për realizimin e aktiviteteve ku zënë vend uniteti emocional dhe vlerat e përbashkëta.
Ndërkohë që sekretari i dytë pranë ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, Oğuz Tekat specifikoi ndikimin e thellë dhe vendin e veçantë që Yunus Emre ka krijuar jo vetëm në zemrën e popullit turk por të çdokujt që e njeh atë; drejtori i orkestrave pranë Bashkisë së Stambollit, Celal Sevencan u shpreh duke thënë: “U kushtojmë rëndësi të veçantë aktiviteteve kulturore që kanë për qëllim promovimin e kulturës së vendit tonë dhe zhvillimin e mëtejshëm të miqësisë me vendet e tjera. Veprimtaritë bashkëpunuese të institucioneve të ndryshme për këtë ndërveprim kulturor janë shumë të rëndësishme.”
Në fjalën e hapjes drejtori i Institutit Yunus Emre Shkodër, Zafer Kıyıcı tha se poeti mistik Yunus Emre është një personalitet që ka injektuar dashurinë, paqen dhe vëllazërinë.
Pas fjalimeve filloi koncerti i ilahive të Yunus Emre i realizuar nga ekipi i muzikës artistike mistike turke, solisti Adem Tay duke u shoqëruar me shfaqjen “Semâ”. Koncerti, i cili shënoi pjesëmarrje të dendur të shkodranëve përfundoi me dhënien e pllakatave dhe fotografime në shenjë kujtimi.