U përkujtua në Shkodër Mehmet Akif Ersoj
Poeti i himnit tonë kombëtar Mehmet Akif Ersoj, u përkujtua në Institutin Yunus Emre Shkodër me një program të organizuar nën përkujdesin e ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë.
Në program morën pjesë ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë Z. Murat Ahmet YÖRÜK, rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” Prof.dr. Adem BEKTESHI, kryetari i Shoqatës “İstanbul” në Shkodër Z. Ridvan SEFERAJ, dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja Prof.as.dr. Alma HAFIZI, përfaqësues nga Myftinia Shkodër, akademikë, mësues, studentë.
Në fjalën e tij ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë Z. Murat Ahmet Yörük tha: “Të njohësh Mehmet Akif Ersojin do të thotë të njohësh dhe të kuptosh Turqinë dhe shoqërinë turke. Mehmet Akif Ersoj nuk është një intelektual, letrar, politikan dhe akademik që u përket vetëm turqve dhe Turqisë. Për shkak të origjinës së tij shqiptare, faktit që ka jetuar dhe ka shërbyer në Ballkan, ai është një personalitet që i përket rajonit tonë gjeografik. Ai është një burrë i shquar i mendimit dhe i veprimit, ku në personin e tij janë bashkuar vëllazëria, lidhjet turko-shqiptare dhe kultura jonë e përbashkët.”
Drejtori i Institutit Z. Zafer Kıyıcı u shpreh: “Mehmet Akif Ersoj është poeti që sagën tonë heroike, identitetin tonë madhështor, dashurinë tonë për atdheun dhe lirinë; Himnin Kombëtar si dhe vuajtjet, shpresat e vendosmërinë që buronte nga gjoksi i kombit tonë, e përjetësoi duke thënë: “Unë nuk kam punë me imagjinatën, çfarëdo të kem thënë e kam jetuar”. Origjinën e tij shqiptare e ka shprehur në vargjet e poezisë “Zërat e së Vërtetës”: “Dёgjoje kёtё nga unё: po, unё jam shqiptar ... Tjetёr s’kam ç’tё them”.
Ndërsa nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” Prof.dr. Bajram Xhafa realizoi një fjalim me temë “Mehmet Akif Ersoj në 145 vjetorin e lindjes së tij”. Në fjalën e tij ai citoi: “Mehmet Akifin e “njoha” ndopak vetëm pas “hapjes” së Shqipërisë politike në vitet ’90. Kur mësova që ishte shkrimtar i himnit kombëtar turk u ndjeva shumë krenar. Shpreh falenderimet e mia për Institutin Yunus Emre Shkodër, i cili më krijoi mundësinë të flas mbi personalitetin e Mehmet Akif Ersoj”
Pas fjalimeve programi vijoi me hapjen e ekspozitës “Mehmet Akif Ersoj”. Ekspozita e pëlqyer shumë nga të pranishmit, do të jetë e hapur për vizitorët, në Institutin Yunus Emre Shkodër deri më datë 31 dhjetor 2018.