U përkujtua 110-Vjetori i 18 Marsit të Fitores së Çanakalasë në Shkodër.
Më 18 mars 2025, me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, Instituti Yunus Emre në Shkodër organizoi një ceremoni përkujtimore me rastin e 18 Marsit Ditës Përkujtimore të Dëshmorëve dhe 110-vjetorit të Fitores Detare të Çanakalasë.
Ceremonia u mbajt pranë Monumentit të Hasan Riza Pashës në Shkodër ku morën pjesë Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë z. Tayyar Kağan Atay, Nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës z. Rudin Beka, Zëvendësrektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës Prof. Dr. Eliana Laçej, Atasheu Ushtarak Kolonel Tolga Kip, Koordinatori i TİKA-s në Tiranë z. Mustafa Ata, Koordinatori i Institutit Yunus Emre në Shqipëri z. Oğuzhan Sakoğlu, si dhe përfaqësues të ndryshëm të misioneve diplomatike dhe institucioneve vendase.Gjatë fjalimeve të mbajtura në ceremoni, u theksua rëndësia historike e Fitores së Çanakalasë për Turqinë dhe për historinë botërore, ndërsa dëshmorët u përkujtuan me mirënjohje dhe respekt.
Në fjalën e tij, Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Tayyar Kağan Atay, u shpreh: “Fitorja e Çanakalasë është një dëshmi e qartë se një komb, kur është e nevojshme, mund të qëndrojë i pathyeshëm përballë fuqive më të mëdha. Kjo histori sakrifice, guximi dhe heroizmi vazhdon të jetë një dritë udhërrëfyese për të ardhmen tonë. Ne jemi të vetëdijshëm se shteti ynë, i cili ka lënë pas 100 vite histori, i detyrohet dëshmorëve tanë edhe për shekujt që do të vijnë.” Ai theksoi gjithashtu se kombi turk nuk do të dorëzohet kurrë ndaj pushtimeve dhe sfidave, duke ruajtur gjithmonë unitetin dhe integritetin e tij.
Në kuadër të programit përkujtimor, në kinemanë Republika të Shkodrës, me pjesëmarrjen e gjerë të qytetarëve shkodranë, u shfaq filmi “Letra e Fundit”, i cili trajton Luftën e Çanakalasë. Para shfaqjes së filmit, Koordinatori i Institutit Yunus Emre në Shqipëri, z. Oğuzhan Sakoğlu, theksoi se aktivitete të tilla forcojnë marrëdhëniet kulturore mes dy vendeve dhe nënvizoi rëndësinë e përcjelljes së frymës së Çanakalasë tek brezat e rinj.
Pas shfaqjes së filmit, pjesëmarrësve iu shpërnda përkthimi në gjuhën shqipe i veprës Fletët të Poetit tonë Kombëtar, Mehmet Akif Ersoy.