Historia e Kafesë Turke me Hatër 40 Vjeçar

Yazıcı-dostu sürüm

Aktiviteti “Kafeja turke: historia e hatërit 40 vjeçar”, organizuar me bashkëpunim të Prefekturës së Edirnesë në Republikën e Turqisë, Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë dhe Institutit Yunus Emre Shkodër, u realizua me një pjesëmarrje të gjerë.

Në program morën pjesë Prefekti i Qarkut të Edirnesë në Republikën e Turqisë Z. Ekrem Canalp dhe zonja e tij Dr. Ayten Canalp, Sekretari i dytë në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Tiranë Z. Orhan Aykaç, Sekretarja e Përgjithshme e Prefekturës Shkodër Znj. Felek Kasemi, Kryetarja e Bashkisë Shkodër Znj. Voltana Ademi, Kryetari i Këshillit të Bashkisë Shkodër Z. Xhemal Bushati, Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” Prof. Dr. Adem Bekteshi,  Myftiu i Qarkut Shkodër Imam Muhamed Sytari, Kryetari i Shoqatës “Istanbul” Z. Ridvan Seferaj, Dekania e Fakultetit Ekonomik Prof. as. dr. Blerta Dragusha, Dekania e Fakultetit të Shkencave Shoqërore Prof. Dr. Mimoza Priku, Dekania e Fakultetit të Shkencave të Natyrës Prof. Dr. Suzana Golemi, Drejtori i Galerisë së Arteve Shkodër Z. Fatmir Juka, drejtues të shkollave, akademikë, mësues, studentë dhe populli i Shkodrës. 

Programi, i cili filloi me shfaqjen e një videoje prezantuese të kulturës së kafesë, vijoi me fjalën e hapjes nga drejtori i Institutit Yunus Emre Shkodër Z. Zafer Kıyıcı, i cili përcolli historinë e hatërit dyzet vjeçar të kafesë dhe faktin e përfshirjes së saj në “Listën e Përfaqësimit të Trashëgimisë Kulturore Abstrakte të Njerëzimit” nga UNESCO në vitin 2013.

Prefekti i Qarkut të Edirnesë në Republikën e Turqisë Z. Ekrem Canalp në fjalën e tij theksoi marrëdhënien shumëvjeçare Shqipëri-Turqi, vëllazërinë e dy shteteve dhe faktin se shqiptarët në periudhën osmane janë pozicionuar në detyra të rëndësishme udhëheqjeje falë disiplinës dhe aftësive që i personifikon.

Kryetarja e Bashkisë Shkodër Znj. Voltana Ademi u shpreh se Shqipëria dhe Turqia ndajnë së bashku tradita, shije dhe sjellje të përbashkëta duke theksuar se këto elementë janë ata që i afrojnë këto dy shtete.

Pas fjalimeve u realizua shkëmbim i dhuratave. Programi përfundoi pas hapjes së ekspozitës me temë “Turqia dhe Kultura e Kafesë”, e cila vijoi me shijimin e kafesë turke nga të ftuarit, e cila me traditat dhe mënyrën e saj të gostitjes ka krijuar një kulturë.