Hapet në Shkodër Ekspozita e Kaligrafisë “Thënie të Yunus Emre”

Yazıcı-dostu sürüm

Në Institutin Yunus Emre Shkodër, ditën e premte, më datë 25 maj 2018, u realizua hapja e ekspozitës së kaligrafisë me thënie që pasqyrojnë mendimin dhe filozofinë e Yunus Emre.

Hapja e ekspozitës u realizua me pjesëmarrje të drejtorit të Institutit Yunus Emre Shkodër Zafer Kıyıcı, artistit Bekim Ndrukaj, drejtorit të Muzeut Historik të Shkodrës Fatmir Juka, dekanes së Fakultetit të Shkencave Natyrore Suzana Golemi, dekanes së Fakultetit Ekonomik Blerta Dragusha, Zv. myftiut të Qarkut Shkodër Arben Halluni, rrethit intelektual dhe artdashësve shkodranë.

Artisti Bekim Nrukaj në fjalën e tij dha për pjesëmarrësit njohuri lidhur me përmbajtjen e ekspozitës. Artisti, i cili theksoi se thëniet e Yunus Emre në gjuhën shqipe janë shkruar me teknikën e kaligrafisë mbi sfonde ebruje, shprehu kënaqësinë që ndjen nga ekspozimi i veprave të tij në Institutin Yunus Emre Shkodër.

Krahas informacionit mbi personalitetin e Yunus Emre, në fjalën e hapjes drejtori i Institutit u shpreh: “Veçoria më specifike e Yunus Emre është e të qënit një emër simbol i përfaqësimit të vlerave, dashurisë njerëzore dhe paqes sociale. Ky personalitet i shquar nuk është mjaftuar vetëm me kontributin e rëndësishëm në zhvillimin e turqishtes përmes poezive të tij; me filozofinë e tij të themeluar mbi vlerat botërore njerëzore, ai ka dhënë mesazhe që kanë për qëllim bashkëjetesën e njeriut në paqe me vlerat e përbashkëta pa bërë dallime në përkatësi fetare, gjuhësore apo racore. Jemi të lumtur që mundësuam takimin e mendimeve dhe filozofisë së Yunus Emre me ju.”

Pas interpretimit të disa prej thënieve të Yunus Emre në gjuhën turke dhe shqipe nga nxënësit e Institutit Omer Fuçia dhe Blerta Mlloja, u realizua hapja e ekspozitës. 

Ekspozita e kaligrafisë me temë Yunus Emrenë do të mund të vizitohet në Institutin Yunus Emre Shkodër gjatë periudhës 25 maj-25 qershor 2018.